Dy kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Glauk Konjufca dhe Teuta Mulaj kanë vizituar familjen e Kajtaz Bojës, trashëgimtarit të Feriz Bojës, një prej emrave të mëdhenj të historisë kombëtare.
Gjatë vizitës, ata vlerësuan kontributin e Feriz Bojës, i cili ishte komandant i batalionit të Shaban Polluzhës dhe anëtar i Shtabit Suprem, duke e cilësuar atë si një figurë të shquar të Luftës Nacionalçlirimtare.
“Sakrifica dhe qëndresa e tij janë pjesë e historisë sonë, dhe kujtimi i tij mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm. Lavdi jetës dhe veprës së Feriz Bojës!”, u shpreh Mulaj.
Feriz Boja, i lindur më 1910 në Kerrnicë të Klinës, u dallua për trimërinë dhe përkushtimin e tij ndaj bashkimit të shqiptarëve dhe lirisë së Kosovës.
Kjo vizitë u prit me mikpritje të ngrohtë nga familja Boja, ndërsa Mulaj dhe Konjufca riafirmuan angazhimin e tyre për të nderuar dhe ruajtur trashëgiminë e figurave të shquara të kombit.