“Tetori Rozë” shënohet me aktivitete ndërgjegjësuese në shkollën “Fehmi Agani”, në Klinë

Në kuadër të fushatës globale për ndërgjegjësimin mbi luftën kundër kancerit të gjirit, shkolla “Fehmi Agani” në Klinë shënoi “Tetorin Rozë” me aktivitete edukative dhe mbështetëse.

Me moton “Ne jemi më të forta se kanceri”, nxënësit dhe stafi mësimor u angazhuan në një sërë veprimtarish të organizuara nga Këshilli i Nxënësve të Shkollës, duke përçuar mesazhin e rëndësisë së ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për këtë çështje.

Një nga aktivitetet kryesore ishte ligjërata e mbajtur nga Gurra Dedaj, profesioniste shëndetësore nga QKMF Klinë, e cila trajtoi aspektet e parandalimit, identifikimit dhe trajtimit të kancerit të gjirit.

Po ashtu, psikologia e shkollës, Lumturije Hasanaj, shtjelloi aspektet psikologjike dhe emocionale që përballen personat e prekur nga kjo sëmundje, duke theksuar nevojën për mbështetje dhe mirëkuptim.

Nxënëset e shkollës kontribuuan me punimet e tyre kreative, duke realizuar aktivitetin simbolik “Një dorë për të gjithë”. Ky veprimtari u përqendrua në forcimin e ndjeshmërisë dhe solidaritetit ndaj atyre që janë prekur nga kanceri i gjirit.

Aktiviteti përmbyllës shërbeu si një përkujtim i fuqishëm për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe veprimit në luftën kundër kësaj sëmundjeje, duke treguar se bashkërisht jemi më të fortë.