Barcelona është tronditur nga lajmet se Marc-Andre Ter Stegen pothuajse me siguri do të humbasë pjesën e mbetur të sezonit, pasi pësoi një dëmtim të rëndë në gju gjatë fitores të së dielës ndaj Villarrealit në ‘La Ceramica’.
Kjo do të thotë se katalunasit do të mbeten pa kapitenin dhe portierin e parë deri në sezonin e ardhshëm, gjë që është një goditje e madhe.
Pas dëmtimit, Barcelona tashmë po punon për nënshkrimin e një zëvendësuesi që do të konkurronte me Inaki Pena, i cili do të trashëgojë vendin e titullarit për pjesën e mbetur të sezonit.
Ndërsa kjo është duke vazhduar, Ter Stegen ka folur për herë të parë që nga pësimi i lëndimit. Ai falënderoi të gjithë për mbështetjen e tyre, dhe kjo përfshinte veçmas ata që ishin të pranishëm në stadiumin La Ceramica.
“Ndihem vërtet mirënjohës për të gjithë tifozët e Barçës, shokët e skuadrës, rivalët, klubet dhe miqtë për mbështetjen dhe dashurinë që më keni treguar që nga e diela”.
“Dua të falënderoj tifozët e Villarrealit për respektin e treguar në stadium, kjo do të thotë shumë për mua. Ndihem pozitiv dhe i fortë, tani fokusohem në rikuperimin tim. Faleminderit!”, ka shkruar Ter Stegen në rrjetet sociale.
Mungesa e Ter Stegenit është një goditje e madhe për Barcelonën. Pavarësisht kritikave që i kanë ardhur portierit gjerman në 12 muajt e fundit, ai është ende një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit, për këtë nuk ka dyshim. /Telegrafi/