Është demantuar tentativa e dytë e Ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi për të mashtruar publikun për mos respektimin e qëndrimit në izolim dy javor pasi që është infektuar me Covid-19.
Autoriteti i Aviacionit Civil i ka dal në mbrojtje Ministrit Abrashi, meqenëse u tha se ka marrë pjesë në aktivitete duke qenë i infektuar me COVID-19 dhe se ka shkelur masën e vetizolimit.
Abrashi kishte thënë se në vetizolim është që nga mbrëmja e 9 nëntorit, por që më pas në një postim të Autoritetit të Aviacionit Civil, thuhej se Abrashi kishte realizuar një vizitë atje më 10 nëntor.
Nga ky institucion kanë sqaruar se fotoja ishte realizuar më 5 nëntor, por që për shkak të zhvillimeve nga Specialja, ishte vendosur që njoftimi për vizitën e tij të publikohej disa ditë më pas.
“Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale.
Lajmi për vizitën ishte publikuar më datën 10 nëntor duke pas për qëllim informimin e publikut se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është duke i zbatuar masat mbrojtëse për përhapjen e COVID-19 dhe se Autoriteti i Aviacionit Civil është duke monitoruar zbatimin e këtyre masave”, thuhet në njoftim.
Abrashi, më 18 nëntor nëpërmjet rrjetit social Facebook, kishte njoftuar se është infektuar me COVID-19, ndërsa gjatë ditës së djeshme ai ka qenë duke bërë fushatë me Ministrinë e Punëve të Brendshme me Agim Veliun dhe kandidatin për kryetar komuna, Nexhmi Rudarin në Podujevë.
“Pas shfaqjes së disa simptomave, jam testuar për COVID 19 dhe kam rezultuar pozitiv. Me shëndet jam mirë dhe nuk kam ndonjë komplikim. Ju lutem keni kujdes dhe përmbahuni masave kundër COVID 19”, kishte shkruar Abrashi nëntë ditë më parë.
Abrashi gjatë ditës së djeshme kishte shkuar në Podujevë, kështu duke thyer masën e izolimit, duke dalë nga shtëpia pa i bërë 14 ditë.
“Bashkë me kryetarin, Nexhmi Rudari dhe ministrin Agim Veliu, vizituam punimet në asfaltimin e rrugës Prishtinë – Podujevë. Pjesa e mbetura nga Lluzhani deri në kyçje të autostradës në Besi, do të tenderohet ashtu që punimet të fillojnë në pranverë”, kishte shkruar Abrashi në Facebook, ku kishte shpërndarë edhe disa fotografi nga atje.
Për këtë veprim, Abrashi mund të dënohet me gjobë nga 250 deri në 1 mijë euro, pasi që, kjo thuhet qartë në neni 35 të ligjit antiCOVID.
“Personi fizik dënohet me gjobë prej 250€ deri 1.000€, për kundërvajtje: a) nëse refuzon të hospitalizohet dhe izolohet në institucionin shëndetësor, përkatësisht në objektin e caktuar për këtë qëllim kur është sëmurë ose kur dyshohet se është sëmurë nga sëmundja e caktuar ngjitëse sipas nenit 17, të këtij ligji”, thuhet në ligjin antiCovid