Telekomi i Kosovës gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 118 punonjës pa shpallur konkurs publik. Për 110 prej tyre nuk ishte respektuar afati maksimal i punësimit prej 120 ditësh.
Zyra Kombëtarë e Auditimit përvëc kësaj ka gjetur se Telekomi kishte angazhuar edhe 5 ekspertë të jashtëm ligjor, me kontrata për punë dhe për të njëjtit nuk kishte shpallur konkurs publik.
“Për më tepër, kompensimi në pagë për këta përfaqësues të jashtëm ligjor, nuk ishte i njëjtë por paguheshin nga 2,700€; 2,800€ deri 2,950€. Ndërsa, njëri nga ekspertët kishte tri kontrata të ndryshme për punë dhe detyra specifike, në shumën totale 6,150€”, thuhet në raportin e auditorit.
Sipas Ligjit të Punës, çdo punëdhënës në sektorin publik, është i obliguar të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës (neni 8); dhe në rastin e kontratës për punë dhe detyra specifike ajo nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti (neni 10 pika 6). Ndërsa sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, konkursi publik duhet të publikohet në njërën nga mjetet e shkruara të informimit dhe mbetet i hapur 15 ditë nga data e publikimit