Me t’iu afruar kufirit me Serbinë, shumica e qytetarëve të cilët targat e tyre i kanë RKS, detyrohen që t’i ndërrojnë me ato prova, si e vetmja mënyrë për t’iu lejuar hyrja në territorin serb.
Ata që detyrohen t’i ndërrojnë targat, thonë se për shkak të telasheve të shumta, po mendojnë t’i kthejnë sërish targat KS, që janë të pranueshme nga Serbia.
Por, ka edhe shumë të atillë që udhëtimi i shpeshtë në këtë vend i ka detyruar më herët që t’i ndërrojnë targat nga RKS në KS, raporton KTV.
Qytetarët thonë se pos procedurave, ndërrimi i këtyre targave ka kushtuar, andaj i kanë ndërruar ato, duke shtuar që asnjëherë nuk kanë parë lehtësira, të cilat janë të garantuara me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
Përderisa nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se në Kosovë janë 32 mijë e 367 tabela KS, duke shtuar që vetëm në janar, janë regjistruar rreth 5 mijë sosh.
Marrëveshja, e cila është arritur në vitin 2011, ishte ndryshuar më 2016-n, përmes së cilës parashiheshin të vendosen shirita mbi flamujt e shteteve, në mënyrë që të mos jetë i nevojshëm ndërrimi i tyre.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës u arsyetua se zbatimi i saj po ngec, shkak i problemeve në tenderim, gjë që solli kalimin e afatit kohor të caktuar nga Brukseli.
Andaj, njohës të kësaj çështjeje, përderisa kjo marrëveshje nuk është në tërësi e zbatueshme, janë skeptikë për marrëveshjen më të re, atë të linjës ajrore.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja, thotë se nuk e kanë të qartë se me çfarë dokumentesh do të udhëtojnë shtetasit e vendeve të treta.
Të hënën në Berlin u nënshkrua marrëveshja fillestare për linjën ajrore Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Por ende nuk dihet se me çfarë dokumentesh do të udhëtojnë qytetarët e të dyja shteteve.