Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u largua befasisht nga salla e konferencës së shtypit së Shtëpisë së Bardhë, pas disa të shtënave me armë jashtë ndërtesës.
Trump u kthye sërish në sallë pas disa minutash dhe tha se një person ishte qëlluar me armë zjarri nga forcat e rendit dhe është dërguar në spital.
“Pati të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë. Duket se situata është krejtësisht nën kontroll… Por pati të shtëna me armë dhe dikush është dërguar në spital. Nuk di në çfarë gjendje shëndetësore është ky person”, ka thënë Trump.
Gazetarët qëndruan në sallën e konferencës për shtyp, ndërsa presidenti ishte dërguar në Zyrën Ovale.
“Ju u befasuat dhe unë gjithashtu u befasova. Dua të falënderoj Shërbimin Sekret. Janë të mrekullueshëm. Ndoshta të shtënat nuk kishin të bënin aspak me mua ”, u tha presidenti gazetarëve, kur u rikthye.
Shërbimi sekret konfirmoi se kishte pasur të shtëna me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë.