Të premten hapet konkursi për pranim në Qendrën e Studentëve

Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se të premten (nesër) do të hapet konkursi për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë për vitin akademik 2024/25. Konkursi do të jetë i hapur deri më 19 shtator (e enjte).

Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit online, në adresat zyrtare të QS, webfaqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar në Facebook: Qendra e Studentëve – Prishtinë.

Qendra e Studentëve do të pranojë rreth 4000 studentë sivjet.

Studentët e rregullt të UP-së kanë mundësi të aplikojnë veçmas për të fituar të drejtën për t’u ushqyer në mensën e studentëve, edhe pa banuar në konvikte. Kriteret për të aplikuar janë të njëjta sikurse për aplikim për konvikt. Do të pranohen 1500 studentë.

Mënyra e përzgjedhjes së studentëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs.

Çmimi do të jetë 35 euro për muaj (20 euro banimi, 15 euro ushqimi).