Fati i personave të pagjetur vazhdon të mbetet ankthi më i madh i shumë familjeve kosovare të trashëguar nga lufta e fundit.
Ata thonë se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë duhet të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Ndërsa insistojnë që kjo çështje të ngritët në nivel politik në dialogun me Serbinë.
Që kur ka nisur procesi i dialogut me Serbinë, Kosova nuk arriti asnjëherë që ta fusë në agjendë çështjen e të pagjeturve. U arritën shumë marrëveshje, pati shumë premtime, por kjo çështje asnjëherë zyrtarisht nuk u bisedua me Serbinë.
Koordinatori i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha për Radio Kosovën se që nga vitit 2004, kur kanë filluar edhe takimet e para mes Kosovës dhe Serbisë, ekziston një mekanizëm dialogues për persona të zhdukur me ndërmjetësim të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
Ai tha se ngritja e kësaj çështjeje në dialogun politik, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve dhe e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Çështja e personave të zhdukur të jetë prioritet në të gjitha takimet mes Kosovës dhe Serbisë. Çështja e personave të zhdukur ka qenë përtej politikave të caktuara partiake apo qeveritare” tha ai.
Gara thotë se përvoja e dialogimit me Serbinë për të zhdukurit ka treguar se vetëm presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare mund ta bindë Serbinë për hapjen e arkivave.
“Kjo para se gjithash nënkupton hapjen e arkivave jo vetëm të policisë serbe dhe armatës ish jugosllave” tha ai.
Bajram Çerkini, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, shprehet se edhe në Deklaratën e Përbashkët në Kuadër të Procesit të Berlinit, në takimin në Londër në kuadër të Konferencës për Ballkanin Perëndimor thuhet se çështja e të zhdukurve duhet të ngritët në nivel politik.
“Ne duhet ta themelojmë një grup punues që të flasë në Bruksel”, tha ai.
Shumë familje kosovare vazhdojnë të jetojnë me ankthin e pritjes për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të zhdukur gjatë luftës.
Madje, ata po presin tash e sa vjet që kjo temë do të shtrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ardiana Musa dhe Kumrije Karaqica thonë se për ngritjen e çështjes në dialog me Serbinë, është vonuar shumë.
“Është vonuar shume. Axha im ka qenë shume i ri dhe nuk ka lënë fëmijë dhe unë e ndiejë obligim për që ta ngriti zërin për të. Çelësi kryesor është që politikanët të mos pranojnë asnjë marrëveshje, asnjë takim, pa hy në rend dite çështja e personave të pagjetur”, tha ajo për Radio Kosovën.
Ndryshe përfaqësuesit e Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur vlerësojnë se kjo çështje duhet patjetër të shtrohet në dialogun Kosovë-Serbi, sepse është proces politik.