Para pak javësh, Stuart dhe Adrian Baker ishin në gjendje të përsosur shëndetësore. Çifti i pandashëm ka qenë i martuar për më shumë se 51 vjet dhe jetonte në Florida. Asnjëri nga ta s’kishte probleme shëndetësore deri tash. Në mars, nisën të shfaqnin simptoma sëmundjeje. Të dielën, të dy vdiqën – me gjashtë minuta dallim – për shkak të komplikimeve nga koronavirusi.
Stuart Baker ishte 74 vjeç, ndërsa Adrian ishte 72.
I biri i tyre, Buddy Baker, ka folur haptas për vdekjen e prindërve duke kërkuar vëmendje nga të gjithë në botë për shkak të seriozitetit të sëmundjes. Në një video në Twitter ai ka kërkuar nga njerëzit t’u përmbahen rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, transmeton Koha.
“Deri sa të ju prekë juve apo dikë që e doni apo të dëgjoni një rrëfim, ndiheni të lirë nga ky virus”, ka thënë Baker për “CNN”.
Ai ka treguar se prindërit ishin dërguar në spital tre javë më herët. Mjekët u kishin thënë të qëndronin në shtëpi. Pas disa ditësh, simptomat e tyre ishin theksuar, por prapë u ishte thënë të qëndronin të vetizoluar. Pas pak ditësh, më 19 mars, ata ishin ridërguar në spital. Babai i Bakerit, kishte ethe, ndërsa e ëma jo. Pas 48 orësh, babai ishte dërguar në intensivë, ndërsa e ëma në shtëpi. Më 24 mars, ishte zyrtarizuar se babai ka dalë pozitiv me koronavirus. Si pasojë, Buddy ka thënë se e kishin dërguar edhe të ëmën në spital për ta testuar. Kur mjekët e kishin kontrolluar atë, fjalët ishin se asnjëri nga prindërit s’do t’i mbijetonte për shkak të komplikimeve të shfaqura shpejt.
Të enjten, Baker, tre fëmijët e tij dhe familja e motrës së tij, ishin mbledhur në ceremoninë përkujtimore për prindërit e tyre. Ceremonia u transmetua direkt në rrjetet sociale dhe u shikua nga shumë njerëz në botë. Familja pati vetëm një mesazh për të tjerët: “Shpresojmë që njerëzit dëgjojnë rrëfimin tonë dhe motivohen për të vepruar siç duhet. Duke vepruar ashtu, ndoshta s’do të prekeni as ju e as familjet tuaja, por ndoshta ndihmoni edhe familje të tjera për të ikur nga dhimbjet të cilat po i përjetojmë ne tani”.