Të hënën në Prishtinë do të protestohet për lirimin e Nezir Mehmetaj nga fshati Rudnicë e Klinës, i cili ka dy vjet që po mbahet në burgjet e Serbisë me pretendimin se ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në fshatin e tij.
Pa ndihmë institucionale i vëllai i tij Valoni thotë se është detyruar të organizojë këtë protestë. Ai ka thënë për Demokracia.com se pret mbështetje të madhe nga qytetarët në protestën e së hënës dhe se pret që protesta të ketë rezultate pozitive, që do të ndikojë në kthimin e vëllait të tij.
“Deri më sot jemi munduar me atë çfarë kemi ditur dhe çfarë kemi mundur, por nuk kemi pasur fuqi të bëjmë diçka më shumë si familje dhe me arsyen e plotë dhe me çdo të drejtë njerëzorë do kërkojmë mbështetje nga qytetarët tonë dhe përmes kësaj proteste që do mbahet në përball objektit të Qeverisë të ndikojë që kjo padrejtësi të ndërpritet dhe të lirohet vëllai ynë Nezir Mehmetaj. Duke besuar fuqishëm në pafajësinë e vëllait tim, si dhe duke besuar që populli ynë din të vlerësoi ketë situatë ku jemi dhe ku kemi mbetur si jetim nga mungesa e përkrahjes institucionale, atëherë besoi që përkrahja nga populli ka me qenë e madhe dhe ndikimi i saj ka për të rezultuar pozitivisht sepse jemi njerëz dhe po kërkojmë një të drejtë elementare njerëzore”, tha ai për Demokracia.com.
Valoni tregon se ai nuk e ka takuar Nezirin asnjëherë pas arrestimit. Ai ka treguar se Neziri nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, sepse vuan nga diabeti.
“Nuk e kam vizituar unë vetëm familjarët e ngushtë. Sipas familjareve që e kanë vizituar gjendja e tij shëndetësorë është stabile por kuptohet gjendja emocionale nuk ndikon mirë as në shëndetin e tij e sidomos që vëllai vuan nga sëmundja e diabetit”, ka deklaruar Mehmetaj.
Mehmetaj ka akuzuar institucionet e Kosovë se nuk kanë bërë asgjë për lirimin e vëllait të tij, shkruan Demokracia.com.
“Deri më tani nuk kem lënë institucion pa kontaktuar me qëllim që të gjejmë përkrahje pasi që i akuzuari në ketë rast është shtetas i republikës së Kosovës dhe duke ju sqaruar në detaje rastin në mënyrën më të sinqertë, përgjigjet ishin së na vije keq për atë së çfarë i ka ndodhur vëllait tuaj por nuk mundemi neve si institucione të bëjmë diçka, përgjigje këto absurde, fatkeqësisht kuptimi i fjalës shtet nuk vlen kur kemi të bëjmë me Serbinë”, ka thënë Mehmetaj.
Ai madje thotë se nuk kanë marrë mbështetje as nga Zvicra, ku Nezir Mehmetaj ka jetuar një kohë të gjatë.
“Kemi kërkuar ndihmë edhe nga Ambasada e Zvicrës që në fillim të rastit ndihmën, por shteti Zviceran është distancuar nga përgjegjësia pasi që Neziri ishte me të drejtë qëndrimi dhe punë përmes vizë e jo si shtetas zviceran”, tha ajo.
Arrestimi i tij kishte ndodhur deri sa ai po kthehej nga qyteti i Nishit në kufirin Kosovë-Serbi, për arsye të kontrollit mjekësor të nënës së tij, kështu ka bërë të ditur për Demokracia.com, vëllai i tij Valon Mehmetaj.
“Arrestimi i vëllait ndodhi në momentin që ai po kthehej nga qyteti i Nishit në kufirin Kosovë-Serbi, ku arsye e vizitës te shteti fqinj ishin kontrollet mjekësorë të nënës. Në momentin që vëllai gjendej në kufi e kuptoj që gjithçka nuk po shkonte siç duhej dhe në atë moment me kontaktoi duke treguar pak a shumë për situatën në pika të shkurtra”, ka thënë Mehmetaj.
Valoni thotë se i vëllai është i pafajshëm, pasi që Neziri gjatë kohës së luftës ishte në Zvicër, shkruan Demokracia.com.
Ai ka thënë se ka 2 vjet që nuk janë në dijeni të një arsyeje konkrete se pse po mbahet, por mendon se ndikim të madhe në ketë aspekt luajnë zhvillimet politike mes dy shteteve.
“Deri më tani vëllai i ka mbajtur disa seanca gjyqësore ku janë dëgjuar akuzat e përgatitura kundër tij, por ndaj të cilave pala mbrojtëse me fakte bindëse i ka hedhur poshtë këto akuza dhe këtu shihet së i gjithë procesi është i përgatitur dhe në bazë të kësaj akoma po mbahet padrejtësisht”, ka thënë Valon Mehmetaj.
Ndryshe, Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë ndaj Mehmetajt në korrik të vitit 2020, ndërsa Gjykata e Lartë në Beograd ia ka kthyer Prokurorisë aktakuzën kundër kosovarit Nezir Mehmetaj për plotësim.
Prokuroria ka ngritur aktakuzën me pretendimin se Mehmetaj ka kryer krime lufte gjatë vitit 1999 në fshatin Rudicë të Klinës.
Mehmetaj është arrestuar më 3 janar të vitit 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe që nga atëherë është në paraburgim.
Avokatët mbrojtës të Mehmetajt, kanë thënë se kjo është hera e tretë që Gjykata ia kthen Prokurorisë lëndën për plotësim, për t’ia dhënë edhe një shans për mbledhje të provave që nuk i ka e as që ekzistojnë.