Ata që kanë në shpirt Adem,
vetëm me Adem i lënë
(por edhe ata s’e këmbejnë dot Ademin
as me krejt dheun dhe ujin e planetit).
Ata që s’kanë në shpirt Adem,
lihen të lirë skllevër të blejnë
(këtu poshtë
nën diellin demokratik
që nxeh njëjtë për të gjithë).
PO FRYN ERA
Ka një erë të mirë
pa të cilën
nuk çelin lulrt
në atdheun tim,
ka një erë
pa të cilën
shiu i qetë nuk vjen,
ai shiu që i këndon tokës
e ia mbyll arës
plasat që rrëmbejnë farën.
Ka një erë
mbi të cilën kalërojnë zogjtë
që kanë marrë plagë,
dhe kumtin e çojnë më shpejt
te gjaku im
pas shtatë bjeshkëve peng,
ka një erë
që fryn e pastron shtigjet
që janë zënë.
MOTRËS MIRADIJE QË VDIQ FËMIJË NË SHTËPINË E VJETËR ME GURË
Ty motër të mbaj mend shumë pak,
aq sa t’i ngrohte këmbët e mpira nëna në oxhak,
aq sa qave shumë një natë nga dhimbja,
aq sa u mbush të nesërmen plot gra shtëpia.
Ty motër të mbaj mend shumë pak,
aq sa ta mbuloi fytyrën nëna me një shami të bardhë,
aq sa ma shtroi vendin e më vuri në gjumë diku tjetër,
aq sa nuk e njihja ende as jetën time, as vdekjen tënde,
të shkretën.
Ty motër të mbaj mend shumë pak,
por ishujve të territ të kam yll polar,
në burg në Prishtinë dhe në Tiranë në spital.
Ty motër të mbaj mend shumë pak,
por rrallë është mbytur në lumin e jetës ndonjë ditë
pa heshtur gjatë pranë të tjerëve
për të ndërruar me ty bashkë dy-tri fjalë.
Ty motër të mbaj mend shumë pak,
por kështu si sonte kurrë s’më dogji malli,
ky mall-zjarr që po shndërrohet në varg.