Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk i mban imun as personat që janë prapa grilave. Sikleti për të konsumuar drogë shpesh i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit e miqtë e tyre të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve,
Raste të tilla janë evidentuar plot herë edhe në Qendrën Korrektuese në Dubravë, teksa rasti i fundi ka ndodhur para disa ditësh.
Sinjali mëson se këtë herë dikush ka tentuar që nga jashtë ta fus një sasi të narkotikëve, të cilën e ka hedhur në oborrin e burgut.
Një veprim i tillë është vërejtur nga zyrtarët korrektues të kësaj qendre, që kanë arritur të reagojnë, me ç’rast e kanë njoftuar Policinë, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes.
Dy qese me drogë që u gjetën janë konfiskuar nga Policia, ndërsa akoma s’ka persona të cilët janë identifikuar si të dyshuar.
Në lidhje me rastin, burimet thonë se është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar hetimin e rastit.