KALLXO.com dje ka raportuar se si vëllezërit Gëzim dhe Salih Sinani, të arrestuarit e dyshuar për veprën penale të fajdeve, në një aheng në prillin e vitit 2020 ata ishin parë në një foto në fshatin Bajgorë të Mitrovicës, bashkë më Nazmi Thaçin, vëllanë e ish – presidentit Hashim Thaçi; Shefin e Njësive Speciale të Policisë, Amir Gërguri, dhe Burim Buleshkajn, në atë kohë drejtor i Burgut të Dyzit, e persona të tjerë, madje aty ishin përdorur edhe armët.
Takimi i asaj kohe kishte bërë bujë të madhe edhe për faktin se ahengu i këtyre personave kishte ndodhur duke i thyer rregullat e pandemisë të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në ndërkohë KALLXO.COM, ka pranuar edhe fotografi të tjera të këtyre dy të dyshuarve, Gëzim e Salih Sinani bashkë me politikanë të njohur. Në një fotografi shihen Gëzim e Salih Sinani bashkë me deputetin e LDK-së, Agim Veliu kurse në të tjera Gëzim Sinani është bashkë me kryetarin e Suharekës Bali Muharremaj e ish-deputetin Rrustem Mustafa – Remi.
Nga 7 të arrestuarit e fundit në rastin ‘Brezovica’, janë arrestuar edhe dy vëllezërit nga Prishtina, Gëzim dhe Salih Sinani, të cilët po dyshohen për veprën penale të “Fajdesë”.
Në kopjen e kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit që e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhen veprimet e të pandehurve, dy vëllezërve nga Prishtina, Gëzim dhe Salih Sinani.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, nuk janë përgjigjur për arsyet e takimit deri në publikimin e këtij artikulli ndërsa Rrustem Mustafa – Remi ka thënë se nuk i kujtohet për kënd po bëhet fjalë.
KALLXO.COM