Sot dhe nesër pritet që ekipet punuese për targat do të takohen në Bruksel për të finalizuar marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi kryesor i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano.
“Raundi tjetër i takimeve të Grupit të Punës do të zhvillohet më 20 dhe 21 prill në Bruksel, pak para se mandati i tij të përfundojë më 21 prill”, thuhet në përgjigjet e Stanos për KALLXO.com.
Stano ka treguar se BE-ja ka ndihmuar të dy delegacionet në identifikimin e zgjidhjeve, por, sipas tij, është përgjegjësi e të dyja palëve që të bien dakord për një zgjidhje.
“Ne presim që ata të bëjnë përparim deri më 21 prill”, shtoi tutje Stano.
Tutje ai ka shtuar se BE-ja dëshiron t’u kujtojë të dyja palëve edhe një herë se tani është urgjente për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Madje, Stano ka shtuar se çdo marrëveshje për targat do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis.
Zëdhënësi i BE-së ka treguar se më 7 prill të këtij viti është mbajtur takimi i shtatë i Grupi punues për targa.
Në këtë takim palët kanë vazhduar të diskutojnë opsionet e identifikuara nga BE.
Për çështjen e targave është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, tha Kurti.
Këtë deklaratë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka parë si kërcënim.
Ai përmes një komunikate për media, tha se Kurti nuk ka kredibilitet që të flasë për reciprocitetin në dialogun dhe marrëveshjet e arritura me Beogradin.
“Deklarata të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një kërcënim i parakohshëm dhe nuk kanë të bëjnë fare me respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”, thuhet në komunikatë.
Më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës, makinat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.
Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.
Kjo më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat. Por, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë afat që deri më 21 prill të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.