TABIR SARAJ

Si të duan vetë
ta interpretojnë ëndrrën në Tabir Saraj,
qoftë edhe nëse fare ëndërr nuk ke parë.

Tabir Saraji,
nga piramidat kështu mijëra vjet,
pak, shumë pak të jep
e shumë, fort shumë të merr,
qofsh pinjoll i familjes besnike të Qyprillinjve,
qofsh Jozef.K i përhershëm apo Mark-Alem modern.

(E shkruar pasi rilexova, nuk e di për të satën herë,
romanin “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë)

PARADIGMAT E FOLJES DËRRMOJ

(Numri njëjës dhe numri shumës,
në të gjitha kohët dhe në të gjitha mënyrat;
metodat e punës: individuale,
grupore, tarafi, kasta, klika, klani, fraksioni e të ngjashme;
qëllimi i ativiteteve: dërrmimi;
rezultatet e planifikimit: dërrmim 100 %)

Numri njëjës, vetëm koha e tashme, sepse na mjafton

Unë dërrmoj (vetveten)
Ti dërrmon (vetveten)
Ai (ajo) dërrmon (vetveten)

Numri shumës, vetëm koha e tashme, sepse na mjafton

Ne dërrmojmë (vetveten)
Ju dërrmoni (vetveten)
Ata (ato) dërrmojnë (vetveten)

(E shkruar pasi lexova romanin omnibus
“Të fshehtat e treguara” të Rexhep Qosjes,
botimet TOENA, Tiranë, 2023)

METODAT E VJETRA NË SHTRATIN E RI

Demokracia sot,
sikur ata dje,
zgjedh metodën,
për shembull,
si me i ra Naimit,
si me i ra Luigjit,
ty apo tjetrit.

Demokracia sot
nuk merr vendim,
për të vënë në listë të zezë
Naim Frashërin,
Luigj Gurakuqin…
Ismail Kadarenë…
sepse ka metodat e veta
të sofistikimit
kundër tyre,
kundër teje,
kundër secilit.

PROMETE

Ty sot
Promete
nuk të lidh
me hekura
Zeusi më,
por ne.