Sytë janë me pa
por nëse sheh çdo ditë
Tartufin dhe mbretin Edip,
Vëllai i Madh,
kundër syve
nxjerr
Qorrferman*
___________________
*titull romani i Ismail Kadaresë
SJELLJE QENÇE
Nuk ia bëjnë dot autopsinë qenit,
sepse zemra i del shumë e mirë,
pastaj sytë,
ah, sytë,
ku nuk vdesin kurrë
xixëllonjat e mia të fëmijërisë.
Nuk ia bëjnë qenit autopsinë,
kur e shtypin, për shembull,
mbi asfalt pamëshirshëm
me makinë.
Qenit nuk ia bëjnë dot autopsinë,
për shkak të sjelljes qençe
të njerëzve ndaj qenve.
NUK VJEN VJESHTA
Nuk vjen vjeshta
pa ardhur poeti njëherë
si një flutur mbi kopshtin
ku mbetën fruta pak
nga stina e thatë.
Nuk vjen vjeshta
nuk vjen
pa ardhur poeti njëherë
e m’i zgjue prej gjumi
shtatë palë qiej gri
për një shi
e për një shi
që pas shiut
do të bjerë përsëri
frutat e farës së moçme
të Dardanisë
me u ngjizë e me u rritë.