Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sveçla ka deklaruar se në të gjeturat e Policisë së Kosovës janë vërejtur edhe simbole të “Brigadës së veriut” dhe njësiteve ruse. Ai u ka bërë thirrje Serbisë të tërhiqet nga veprime të kësaj natyre e njëherit, edhe akterëve ndërkombëtarë për reagim
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Republikës së Kosovës ka parandaluar një sulm terrorist me rastin e gjetjes së një sasie municionesh ditën e premte.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Sveçla ka deklaruar se në veturën e gjetur rreth 100 metra larg Zveçanit u gjendën armë automatike, municione, uniforma, shok bomba dhe çanta ushtarake. Të njëjtat me simbole të “Brigadës së veriut” dhe njësiteve ruse.
“Për më tepër tash kur ditën e djeshme, veprimet profesionale dhe puna serioze e Policisë së Kosovës dhe AKI-së shmangën një sulm të planifikuar terrorist ndaj Republikës së Kosovës. Të dashur qytetarë, siç edhe jeni njoftuar, mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zveçanit në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit dhe municioneve të ndryshme përfshirë eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme municionesh, uniforma, shok bomba dhe çanta ushtarake. Siç edhe mund t’i shihni këtu, ka çanta me shenja të informacionit ilegal kriminal e terrorist “Brigada e veriut’, shenja dalluese të njësiteve ruse, radiolidhje me ato të njëjtat të konfiskuara të Aleksandër Filopoviqit në komunën e Leposaviqit. Qytetarët e dinë se ai ka qenë ish-shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të veriut, i dekoruar nga Vuçiq.”, ka deklaruar Sveçla.
Ky i fundit ka deklaruar se ky rast paraqet një tjetër dëshmi të qëllimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës se presidenti serb, Vuçiq përmes grupeve dhe formacioneve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë. Ky konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, ka deklaruar ai.
Ministri ka theksuar se do të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që organizatat “Severna Brigada” dhe “Mbrojtja Civile” të shpallen terroriste.
Sveçla i ka bërë thirrje Serbisë të tërhiqet nga veprime të kësaj natyre e njëherit, edhe akterëve ndërkombëtarë për reagim.
“Ne i bëjmë thirrje Beogradit zyrtar të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje edhe faktorin ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënoj sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.