Dy ditë më parë, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës, për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit, ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.
IPK-ja ka bërë të ditur se hetuesit menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Pas ndërmarrjes dhe veprimeve paraprake, hetuesit e IPK-së kanë gjetur se zyrtari policor (me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë) ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë prej mbi 4000 eurosh (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet) duke vozitur dhe përdorur një veturë private.
Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin, dhe në konsultim me Prokurorinë kane iniciuar rastin “Kontrabandim me mallra”.
Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor, të dyshuar në këtë rast, si dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prush në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.