Dy zyrtarë policor të Stacionit Policor në Ferizaj, janë suspenduar dy ditë më parë.
Të njëjtit janë suspenduar nën arsyetimin se kishin frekuentuar kafenetë në orarin e punës.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Policia në Ferizaj.
“Lidhur me pyetjen e juaj ju informojmë se me datë 22.01.2020, nga ana e Drejtorisë Rajonale Ferizaj, për arsye të mos respektimit të urdhrit të Drejtorit të përgjithshëm të PK-së, për mos frekuentimin e lokaleve-kafiterive gjatë orarit të punës apo shfrytëzimi i pushimit të pa-autorizuar në këto lokale, janë suspenduar dy zyrtarë policorë të SP Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Zëdhënësit të Policisë së Rajonit të Ferizajt, Agim Gashi.
Tutje Gashi ka thënë edhe se lënda është proceduar brenda afatit të paraparë në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Një vendim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ishte ndërmarrë dy vite më parë. Në këtë vendim thuhej se ndalohej frekuentimi i lokaleve për kafe gjatë orarit të punës.