Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë këto raste eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të martën, në fshatin Gllarevë të Klinës, ku një zyrtar policor pësoi lëndime si pasojë e sulmit nga një qytetar, i cili shpërfilli urdhrat e Policisë.
Sinjali ka mësuar se gjithçka ndodhi pasi u kërkua ndihma e Policisë për një incident që po ndodhte në këtë fshat, motiv i së cilës ishte ndërtimi i një muri. Me të arritur njësia policore në vendin e ngjarjes, bashkë me inspektorët komunalë, dy qytetarëve iu dha urdhri që t’i ndërpresin punimet meqë rasti ishte i kontestueshëm mes palëve të përfshira.
Gjatë intervenimit nga ana e inspektorëve, për ta vendosur shiritin, të njëjtit janë penguar nga një qytetar, i cili përveç që nuk përfilli urdhrin e policëve, ai edhe i sulmoi ata. Në momentin që një zyrtar policor i kërkoi që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të mos i pengojnë inspektorët në kryerjen e punës së tyre, njëri nga të dyshuarit i mllefosur iu vërsul policit.
Sipas burimeve i njëjti e grushtoi zyrtarin policorë, të cilit i shkaktoi lëndime trupore. Për t’i vënë nën kontroll dhe për të parandaluar tensionimin e situatës edhe më shumë, Policia arrestoi dy të dyshuarit, në asistim me një njësi policore shtesë.
Dy të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe më pas njëri prej tyre përfundoi në ndalim policor, prej 48 orësh, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit.
Ndaj tyre, Prokuroria ka nisur hetimet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.”