Tre persona janë arrestuar të shtunën pasi kanë sulmuar fizikisht katër persona personel mjekësor.
Ngjarja ka ndodhur në emergjencën e komunës së Prizrenit, në rrugën “Ekrem Rexha”.
Njoftohet se të dyshuarit kanë sulmuar sepse, sipas tyre, stafi mjekësor nuk kishte trajtuar rastin e lëndimit të njërit prej tyre.
“Është raportuar se në emergjencë ka ndodhur një përleshje në mes të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë dhe katër personave personel mjekësor, sipas informatave njëri nga të dyshuarit ishte lënduar në Prishtinë dhe ka kërkuar ndihmë në Prizren, por stafi mjekësor nuk e ka trajtuar rastin dhe aty ka nisur fjalosja”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Si pasojë e përleshjes, Policia thotë se lëndime të lehta trupore kanë pësuar edhe stafi mjekësor edhe të dyshuarit. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit njëri nga ta është dërguar në mbajtje ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.