Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e ka cilësuar si një sulm terrorist incidentin e ndodhur më 29 nëntor në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok, i cili shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për Vushtrrinë dhe disa qytete të tjera.
Pavarësisht se furnizimi me ujë është rikthyer, kryetari bëri të ditur se uji nuk është ende i pijshëm përderisa priten rezultatet e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).
“Vërtet ai ka qenë një sulm terrorist që ka goditur drejtpërsëdrejti qytetarët duke dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, duke shkaktuar ndërprerje të ujit të pijshëm në qytetin e Vushtrrisë por edhe qytet të tjera Mitrovicë e Skenderaj. Ende deri tani jemi duke pritur informata më të fundit nga Kompania Regjionale të Ujësjellësit Mitrovica, edhe pse ka ujë nëpër ekonomit familjare ende nuk është dhënë drita e gjelbërt që ky ujë të përdoret për pijë, deri sa të bëhen analizat në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik”, ka thënë ai.
Për të përballuar situatën, Idrizi theksoi se janë ndërmarrë masa emergjente për furnizim me ujë të pijshëm.
“Ujin e pijes e kemi siguruar në bashkëpunim me Kompania Regjionale të Ujësjellësit Mitrovica kemi vendos një cisterna në Kala e qyteti aty janë shërbyer qytetarë me ujë të pijshëm. Po besoj që edhe kjo situatë do të tejkalohet dhe do të normalizohet me ujë të pijshëm”, ka thënë ai për EO.
Idrizi siguroi qytetarët se furnizimi me ujë është stabilizuar dhe se rreziku është shmangur.
“Jo nuk ka rrezik tash për tash është sanuar defekti atje, ka ujë të mjaftueshme por jemi duke pritur informata nga IKSHPK-ja që a mund të fillojmë të përdorim për pije”, ka thënë Idrizi.