Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit dhe kërcënimeve të Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se Serbia dëshiron kthim në kohën e Millosheviqit e të luftës dhe që çështja e Kosovës të kthehet në OKB e sa më larg Bashkimit Evropian.
Ndërsa, për Kosovën ka deklaruar se nuk dëshiron konflikt, por paqe e progres, megjithatë ka shtuar se “agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.
“Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, ka shkruar kreu i ekzekutivit, duke potencuar se çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.
Në fund, Kurti ka kërkuar që barrikadat e kriminelëve me maska në veri të largohen menjëherë.
“Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë.