Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë po bëhen gati për të filluar edhe praktikisht punën me aktakuza dhe procedura në Gjykatë.
Në këtë formë, ky institucion ka hapur konkurs për 33 vende të lira pune, shkruan lajmi.net.
Në konkursin të cilin e ka parë lajmi.net, shihet se Specialja ka shpallur konkurs për vende pune si: zyrtar gjyqësor, asistent administrativ, përkthyes gjyqësor për gjuhën shqipe dhe serbe, përkthyes për gjuhën shqipe dhe serbe, asistentë reference dhe terminologjie, asistentë operativ, oficer sigurie, oficer protokolli, psikolog, asistent për transkripat e gjykatës, asistent financiar, oficer sigurie për dëshmitarë, prokuror e pozita të tjera të përshkruara.
Sipas konkursit të publikuar, afati i fundit për aplikim është 24 janari i këtij viti.
Konkursi i hapur nga Specialja dëshmon edhe njëherë se Tribunali po i bën përgatitjet e fundit për mbajtjen e seancave gjyqësore pas ngritjes së aktakuzave.
Një gjë e tillë s’është bërë ende nga prokurorët e Speciales, teksa ngritja e tyre pritet të jetë publike.
Kështu të paktën kanë lënë të kuptohet në një përgjigje për lajmi.net zyrtarë të Tribunalit Special.