Ish-Zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Bashota, është intervistuar për dy ditë rreshtë nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Pas kthimit në Prishtinë, Bashota ka thënë se është i shqetësuar, meqë siç pretendon ai, Gjykata Speciale i ka ofruar diçka që do të mund t’i konvenonte vetë Bashotës, por që do të dëmtonte imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë isha në Hagë dhe jam intervistuar dy ditë si i dyshuar, dhe jam përgjigjur në pyetjet të cilat kanë qenë të favorshme për mua. Por, ajo që më ka shqetësuar mua, një precedent është se atje më është ofruar një marrëveshje e cila do të ishte e favorshme për mua por që do të mund të dëmtonte kauzën e UÇK-së dhe të tjerët”, kishte deklaruar Bashota për RTK’në pas kthimit nga Haga.
Lidhur me këto deklarata të Bashotës në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christofor Bennett, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar asnjëherë nuk ka ndarë detaje dhe nuk i ka komentuar hetimet që i kryen.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar në asnjë fazë nuk ka dhënë hollësi dhe nuk i ka komentuar hetimet e veta, përpos që e ka nisur mandatin e saj”, ka thënë Bennett i pyetur nga Gazeta Express nëse vërtetë Gjykata Speciale ka ofruar diçka, siç pretendon ish-komandanti i UÇK’së, Sokol Bashota.
Tutje zëdhënësi i Gjykatës Speciale ka thënë se detyra e tyre është që t’i marrin në pyetje të dyshuarit, viktimat e dëshmitarët, për të grumbulluar të dhëna të cilat do të mund të çojnë në fillimin, vazhdimin apo mbylljen e hetimeve.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, t’i marrë në pyetje dhe ta kërkojë praninë e personave të dyshuar, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe të analizojë të dhëna dhe dëshmi dhe të marrë vendime për nisjen, vazhdimin ose mbylljen e procedurave kriminale”, shton Bennet.
Në fund ai thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar synon që të mbajë përgjegjës individët për krimet të cilat do të hetohen nën mandatin e saj.
“Për më tepër, SPO-ja synon t’i mbajë përgjegjës individët për krimet e mbuluara nga mandati i saj”, ka përfunduar Bennett për Gazetën Express.
Ish-numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sokol Bashota, është intervistuar në Hagë si i dyshuar, ndërkohë ka paralajmëruar se do të publikoj edhe detaje tjera të intervistimit në konsultim me avokatin e tij.
Dje nga Specialja është intervistuar edhe ish-deputetja e PDK’së, Safete Hadërgjonaj, e ditë më parë është intervistuar edhe ish-ushtraja e UCK’së, Time Kadriaj dhe Naim Maloku.