Supertalenti Lamine Yamal ka shënuar supergol për ta udhëhequr Spanjën drejt finales në Euro 2024. Të martën mbrëma në Munih, Spanja fitoi 2:1 ndaj Francës në gjysmëfinalen e parë të Evropianit në Gjermani.
Yamali shënoi supergol me goditje nga distanca në minutën e 21-të të ndeshjes. Portieri cilësor i Francës, Mike Maignan, u zgjat por ishte pa gjasa pas goditjes mjeshtërore të supertalentit të Spanjës.
Yamali ka thyer rekordin e radhës dhe me gjasë kryesorin sa i takon Evropianit. Ai është bërë golashënuesi më i ri në histori të Kampionateve Evropiane me vetëm 16 vjet e 362 ditë.
Yamali shënoi për 1:1.
Franca kaloi në epërsi 1:0 me golin e shënuar nga Kolo Muani. Një krosim mjeshtëror të Kylian Mbappes e përcolli Kolo Muani. Ai goditi bukur me kokë për epërsinë e hershme të francezëve.
Por spanjollët u përgjigjën shpejtë.
Pas golit të Yamalit, Spanja shënoi për 2:1 në minutën e 25-të. Dani Olmo ishte realizator. Për Olmon ishte goli i tretë. Në fakt fillimisht UEFA e vlerësoi autogol të Jules Kondes, por më pas goli iu numërua Olmos, që tani është golashënuesi më i mirë në Euro 2024 me tri gola e dy asistime.
Prej minutës së parë Spanja e Franca kanë luajtur superndeshje. Tempoja ishte shumë e lartë, ndërsa rastet nuk kanë munguar në të dy palët. Por goli i Olmos ishte i fundit.
Me rezultatin 2:1, Spanja ka kaluar në finale.
Të dielën nga ora 21:00 në Berlin takohet me Holandën apo Anglinë.