Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, tha se sot paradite do të vendoset se si të procedohet tutje pas përfundimit të aksionit të bastisjes në Banjskë.
Ndryshe të dielën, si pasojë e një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar, raporton rtk.
Gjatë bastisjes, Policia e Kosovës ka konfiskuar arsenal armësh dhe mjetesh të ndryshme, të cilat u prezantuan edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla e drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha. Gjithashtu ka Arrestuar të dyshuar për sulmin terrorist të së dilës.
Gjykata Themelore në Prishtinë dje ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, të martën ka bërë të ditur se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri të paktën në orën 09:00 të 27 shtatorit, kur pritet që autoritetet të vendosin se si do të veprojnë në vazhdim.
Më 24 shtator, grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.
Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.
Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021.
Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, se ka udhëhequr grupin prej 30 personash që sulmuan Policinë. Për më tepër, këta zyrtarë kanë thënë se Radoiçiq ka marrë pjesë personalisht në sulm.
Këto akuza më 26 shtator, Sveçla i mbështeti në një video të incizuar me dron, që tha se dëshmon se Radoiçiq ishte i pranishëm në Banjskë.
Lidhur me sulmin në veri, Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona dhe ndaj tre prej tyre kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Sulmi i 24 shtatorit është dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës
(ShBA) dhe Bashkimi Evropian.