Sot varroset Bedri Rexhepi, trupi i të cilit u gjet pas më shumë se një viti

Mbetjet mortore të Bedri Rexhepit do të varrosen sot në orën 13:00, në varrezat e qytetit në Shtime.

Kështu ka njoftuar familja e të ndjerit, përmes një shkrimi në Facebook, ku thuhet se i ndjeri është vrarë nga një familje, të cilës i kishte ndihmuar Bedriu.

“Duam të ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi, me qëllim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”.

Kjo familje i ka falënderuar institucionet shtetërore për zbardhjen e këtij rasti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, saktësisht prokurori i rastit, Armend Hamiti, ditë më parë, përmes një konference për media, ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Ai tha se Bedri Rexhepi, tashmë i ndjerë, është ekzekutuar për 30 mijë euro.

“Sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material për shumën prej 30 mijë eurove. Të akuzuarit kanë besuar që Bedri Rexhepi tashmë i ndjerë, i posedonte për të cilin më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”, tha Hamiti, njofton Klankosova.tv.

Po ashtu ai ka njoftuar se lidhur me këtë rast është ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, për veprat penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “Dëmtimi i varreve ose kufomave”.

Bedri Rexhepi fillimisht u pat raportuar i zhdukur më 9 prill të vitit të kaluar.