Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë tri seanca, ku njëra do të jetë e jashtëzakonshme. Në seancën e parë që pritet të nis në orën 10:00, në lexim të dytë do të shqyrtohen Projektligji për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik.
Të dyja projektligjet, ai për Pagat dhe për Zyrtarët Publikë do të shqyrtohen me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Kosovës. Kështu kanë votuar deputetët e shumicës parlamentare, ndonëse këtë formë e kundërshtuan deputetët opozitarë.
Theksojmë se Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës.
Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj, përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për shkak të natyrës së saj të funksionimit.
Po ashtu, pas miratimit në lexim të parë të koncept-dokumentit për Ligjin e ri për zyrtarët publikë, tashmë ky dokument hyn për shqyrtim edhe në lexim të dytë.
Kështu i hapet rrugë konkurrencës dhe marrin fund beneficionet me pozita të larta që persona të caktuar i mbajnë me dekada, duke mos u sfiduar në konkurs.