15 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes.
Kjo ditë u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.
Qëllimi i kësaj dite është që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.
Në këtë ditë në gjithë botën organizohen aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të tregojnë zona të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet.
Edhe në Kosovë Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shënon Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në Kuvendin e Kosovës, në orën 9.
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Familjes, mbajnë aktivitete rekreative, të shoqëruar nga maskota, personazhe për fëmijë, shfaqje teatrale, si dhe koktej rasti në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, në orën 17:00. Po ashtu rreth orës 19:30 deri në 20, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, bëjnë ndriçimin e ndërtesës së ekzekutivit.