Sot bëhet nënshkrimi i dokumentit përfundimtar të marrëveshjes për njohjen e pensioneve Shqipëri-Itali.
Kjo u bë e ditur nga kryeministri shqiptar Edi Rama përmes një postimi në Facebook.
Ai aty tha se nga kjo marrëveshje përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri.
“Mirëmëngjes, dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet nga ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe homologu i tij shqiptar, Igli Hasani gjatë vizitës dy ditore të këtij të fundit në Itali, raporton Tvklan.com.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se kjo marrëveshje vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italiano-shqiptarë, të cilët punuan me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre në vendin shqiptar.
Pas nënshkrimit, marrëveshja para se të hyjë në fuqi duhet të kalojë për ratifikim në Kuvendet respektive.