Shkruan: Lekë Mrijaj
Veprimtari i mirënjohur nga Klina, Nikollë Grabanica, vazhdimisht ka ndjekur udhën e Rilindasve, atdhetarve dhe të paradhësve të tij, dhe si i tillë i guximshëm veprimtar edhe vetë ka qënë në shënjestër nga pushteti i atherëshëm jugosllav e ai okupues serb në vitet ’90-ta. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik, humanitar e kulturor, shumë herë është provokuar, keqtrajtuar, rrahur nga forcat militare e paramiltare serbe, të cilët forca vepronin në mënyrë okupuese e çnjerëzore në Kosovë. Vlen të potencohët se Nikolla, për nga aftësit e tija komunikuese i përkiste sojit të një intelektuali e filozofi tipik popullor, qe vepronte në trevën e Lugut të Drinit me rrethinë.
Ai, si një veprimtar i hershëm dhe i filozofisë Rugoviane, ka marr pjesë nëpër shumë organizime të nivelit kombëtar, kulturor e humanitar, siq është edhe Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” në Klinë. Ishte një njeri i fjalës dhe besës, i ndershëm, fisnik e bujar, njeri i guximshëm dhe atdhetar i dalluar, ishte i pandarë e përherë aty ku e thërriste zëri i atdheut: në protesta popullore, misione shumdimenzionale e humanitare dhe në pajtimin e gjaqeve.
Nikollë Grabanica, ishte edhe një përbashkues i zëshëm shumdimenzional qe përpiqej edhe në kohën e okupimit-gjatë viteve ’90 dhe pas luftës t’i afronte të dashurit e tij sa më shumë rreth kauzës kombëtare në trevën e Lugut të Drinit me rrethinë.
Ndaj, pardje, me 14 shkurt 2023, në moshën 99 vjeçare kaloi në amshim dhe sot, me 16 shkurt në varrezat e fshatit Ranoc të Klinës, është varrosur veprimtari dhe autodidakti i mirënjohur klinas, Nikollë Grabanica, ku në ceremonin e tij mortore morën pjesë shumë të pranishëm, miq dhe dashamirë të tij, të cilët ia kishin mësyer nga Lugu i Drinit, Drenica, Dukagjini dhe trevat tjera shqiptare, për ti dhënë lamtumirën e fundit dhe për ta përcjellur për në banesën e tij të përjetshme, veprimtarin e mirënjohur klinas, Nikollë Grabanica. Para se të përcillej për në banesën e e tij të fundit, në restoranin “Fenix” në Klinë, u nderua nga familjarë, miq, kolegë e qytetar të shumtë.
Në ritualin e varrimit në Ranoc të Klinës, morën pjesë, don Jeton Thaqi, famullitar i Kishës së Klinës dhe don Alfred Sokoli, famullitar i Kishës së Zllakuqanit.
Me një fjalë rasti në emër të familjës është paraqitur edhe mbesa e tij – e cila vepron si motër nderi, në rregullin e motrave vinçenciane, Dafina Z. Grabanica, si dhe bashkëveprimtari i Nikollës, miku tij i ngushtë, mulla Xhevat Kryeziu, të cilet vepruan në Pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave, me Liderin e Pajtimeve të gjaqeve, prof. Anton Çetta.
Ndërsa në emër të Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë për aktivitetin e gjithmbarshëm të veprimtarit Nikollë Grabanica foli edhe prof. Pal Canaj, kryetar i cili tha: Ne si Forum i Intelektualeve “Luigj Gurakuqi” në Klinë jemi te shtyre nga ndjenja dashamirëse që t’i themi disa fjale me rastin e përcjelljes së fundit të burrit shekullore nga Lugu i Drinit, Nikollë Pjetër Grabanica, i cili ka lënë emër sa i perket tradites shqiptare, jetës shoqërore dhe kombëtare, ne rajonin tonë dhe me gjerë. Forumi i Intelektualeve “Luigj Gurakuqi”, i cili vepron që 33 vite në Klinë, ka pasur dhe ka si qellim ruajtjen dhe kultivimin e substancës së kulturës kombëtare dhe të humanizmit njerëzor në përgjithësi.
Këto ishin edhe mbeten pikat e përbashkëta që na bashkonin me bacën Nilollë, i cili edhepse në moshë të shtyrë ishte admirues, përkrahës dhe pjesëmarrës në aktivitetet tona, që nga kohët me të vështira, të viteve të 90-ta. Të flasësh në një fjalim të shkurtër për jetën prej një shekulli dhe veprimtarinë e shumanshme të Nikollë Grabanicës, eshte sikur të marrish një pike uji nga oqeani.
Nikollë Pjeter Grabanica është pasardhës i familjës së fisme Grabanica nga Shtupeli i Klinës, i cili u lind më 10. 4. 1924 . Në familje dhe në oden e babës e mësoi artin e të jetuarit përballë vështirësive të jetës, si dhe dashurin për kombin dhe atdheun. Në odën e mysafireve ku priteshin burrat e dheut, nga bisedat që zhvilloheshin, Nikolla qysh se i ri kishte rastin të dëgjonte fjalë të urta, tregime, anekdota dhe mesele , ku përjetoi frymëzimin dhe dashurinë për filozofinë popullore, gjë qe me vone edhe vete ishte një tregimtar i dalluar nëpër odat tona.
Të kesh nje shekull jete është një dhurate e veçantë, Dhe, Nikolle Grabanica me një shekull jete arriti që në trungun familjare të përjetoj gëzimin e shtimit dhe të rritjes së disa brezave. Jeta e tij nuk ishte vetëm e gjatë por edhe e përmbushur me kuptimësi.
Mënyra e kuptimit të jetës i dha mundësi qe t’i përballoi vështirësitë përball regjimit jugosllav të kohës dhe situatave të rënda të jetës, ndaj të cilave qëndroi burrnisht. Baca Nikollë si njohes i folklorit, nuk ishte vetëm një rrëfimtar i tregimeve, anekdotave, meseleve dhe fjalëve te urta, por fale vullnetit te tij ai një pjesë të tyre i përmblodhi nënjë libër të posaçme të titulluar “Tregime Odash”. që sot na ka lënë në trashëgimi si vlerë të rëndësishme. Tregimet e tij janë të botuara edhe ne revista të ndryshme të trashëgimisë popullore. Në jetën shoqërore dhe kombëtare Nikollë Grabanica shquhet me vullnetin dhe veprimtarin e tij gjatë viteve te 90-ta, në përkrahje të kauze për shtetin e Kosovës.
Kishte një admirim të posaçme për figurat kombëtare të asaj kohe siç ishin Ibrahim Rugova, Anton Çetta dhe Adem Jashari . Ndihma e tij ishte e pa kursyeshme si veprimtar i Lëvizjes për Liri dhe Pavarësi të Kosovës, Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve dhe kontribuoj, në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Admironte forcat Demokratike në Shqipëri dhe mbante raporte miqësore me kryeparlamentarin, Pjeter Arbnorin. Atdhetarizmi i Nikollë Grabanicës , si tradite familjare vazhdoj edhe nga djemtë e tij, të cilët si në Kosove, Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihmuan kauzën për lirinë e Kosovës, si dhe proceset e demokratizimit të jetës ne Shqipëri. Para se ta përmbyllim ketë fjale rasti, po shërbehemi me një thënie nga libri “Tregime odash” ku Nikollë Grabanica thotë: Meno dekën e veç të mira le mas.
Kjo thënie dhe ky mendim na jep me kuptua se kur mendohet vdekja, jeta merr një kuptim më njerëzor. Të tille burra si Nikolle Grabanica, që për një shekull jete qëndrojnë vertikalisht, dhe angazhohen për te mirën e familjes rrethit, kombit dhe vlerave humane janë një shembull i posaçme qe fisnikërojnë vetëdijen kolektive dhe mbesin gjate ne kujtesën e breznive, tha në fund të fjalës së tij, prof. Pal Canaj.
Ps: Fotoja në fjalë Nikollë Grabanica dhe prof. Anton Çetta, për herë të parë e publikuar.