Shkruan: Lekë Mrijaj
Edhe Kisha “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë është duke ndjekur-zbatuar në përpikëri udhëzimet e pranuara nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinē, që mesha-liturgjia-lutjet shenjte të kremtohen pa besimtar.
Sot, në orën 16:00, qindra e qindra besimtarë të famullisë sonë dhe shumë të tjerë, e kishin mundësinë që drejtëperdrejtë të përcjellnin meshën shenjte (java e tretë të Krezhmeve-A) përmes një video amatore në rrjetin social të famullisë “Zoja e Këshillit të Mirë” Klinë.
Gjatë meshës së sotme të kremtuar, don Agimi, perveq liturgjisë shenjtë e ritualeve tjera kishtare gjatë homelisë së tij, foli pikë për pikë për leximet e fjalës së Zotit të cilat sot i dëgjojmë, mësojmë se shëlbimi i Hyjit nuk është një monopol. Pikërisht don Agimi, foli për leximin e parë, lexim i cili na sjell ngjarjen e shërimit të Naamanit, një gjenerali të ushtrisë së mbretit të Sirisë. Pas larjes për shtatë herë me radhë në lumin Jordan, ai u pastrua nga gërbula dhe dëshmon se Hyji i vetëm është Hyji i Izraelit. Ai, edhe pse nuk ishte hebre, sikur thotë Krishti, por pagan, kjo nuk ishte pengesë që ai të fitoj hirin e Zotit përmes profetit të tij. Pra, sikur Elizeu e Elia, ashtu edhe Krishti, nuk është i dërguar vetëm për të bijët e Abrahamit, por për shëlbimin e të gjithë njerëzve pa dallim.
Pikërisht ky pohim i Krishtit, te bashkëvendësit e tij në Nazaret, ringjall urrejtjen edhe më të madh ndaj tij dhe paganëve. Ata mendonin se shëlbimi i Hyjit duhet të vijë vetëm për ata, dhe se popujt pagan ishin të përjashtuar. Mirëpo, Krishti u thotë se e kanë gabim, shëlbimi i tij është për të gjithë njerëzit e botës pa marrë parasysh përkatësinë apo prejardhjen e tyre. Prandaj, u çuan në këmbë, e hodhën jashtë qytetit, e çuan në buzë të malit, mbi të cilin është i ndërtuar qyteti i tyre, për t’ia thyer qafën në greminë. Në anën tjetër, kjo vërteton fjalët e Krishtit se asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet.
Andaj në vazhdim don Agimi tha: vëllezër e motra, jemi të thirrun të bëhemi nxënës të Krishtit dhe të mësojmë prej Tij, pastaj, të mund të veprojmë si apostuj që dëshmojnë Krishtin dhe misionin e tij të shenjtë për shëlbimin e të gjithë njerëzve. Ashtu, si Hyji është veprues e shërues në jetën e Naamanit dhe të vejës nga Sarepta e Sidonisë, t’i lutemi që të shëroj të prekurit nga virusi i ditëve tona, të forcoj familjarët e tyre, të ndihmoj të gjithë ata që përkujdesen për shëndetin tonë dhe bekimi i Zotit të mbretëroj në botën mbarë, tha në fund homelisë së tij, don Agim Qerkini.
Kremtimi i meshës së sotme është përcjellë me këngë liturgjike nga motrat vinçesiane të famullisë, nen udhëheqjën e motrës Zoje Krasniqi.