Sot mbahet seanca e gjashtë për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët

Pas disa dështimeve radhazi për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, deputetët e Kosovës do të mblidhen sërish sot për të vazhduar seancën konstituive të legjislaturës së nëntë. Seanca e gjashtë pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të përqendrohet në përpjekjet për të çuar përpara procesin e bllokuar.

Në seancën e fundit, të mbajtur të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje u tërhoq nga propozimi i kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pasi nuk kishte mbështetjen e partive të tjera. Glauk Konjufca kërkoi kohë shtesë dhe një marrëveshje politike për të shmangur përsëritjen e një tjetër dështimi.

Opozita ka reaguar menjëherë pas seancës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se Vetëvendosje duhet të propozojë një emër të ri që është i pranueshëm për shumicën parlamentare.

LDK, përmes deputetes Hykmete Bajrami, akuzoi partinë fituese për mungesë vullneti dhe bllokim të qëllimshëm të procesit.

Nga ana tjetër, Vetëvendosje përmes deputetes Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar se është duke e bllokuar konstituimin, duke argumentuar se procesi ka nevojë për një marrëveshje më të gjerë mes partive.