Tahir Desku u lind më 1957 në Siqevë të Klinës. Filloren e kreu në Ujmirë, të mesmen në Klinë, kurse studimet për Gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë rinisë së hershme ka ëndërruar të bëhet aktor, mbasi kiuhste luajtur në disa pjesë teatrore. Por ai bëhet poet. Kur ishte student, punoi katër vite gazetar në gazetën e studentëve “Bota e re”. Pastaj punon gazetar në TVP gjatë viteve ’80, ku disa herë e largojnë nga puna. Kur e largojnë përfundimisht nga pubna, ia mësyn eksodit, në SHBA dhe atje qëndron tetë vite. Atjerkontribuon në lëvizjen kombëtare e politike të diasporës shqiptaro-amerikane. Kthehet në Prishtinë pak vite para luftës dhe nis e boton revistën kulturore, shkencore e letrare me titullin “Tribuna”. Pastaj kyçet në radhët e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke raportuar gjatë viteve 1998-1999, deri në çlirim.
Pas luftës zgjidhet kryetari i parë në liri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ndërkaq, më tre dhjetor të vitit 2005 ai vdes tragjikisht në fatkeqësi komunikacioni. Vdekja e gjet duke e kryer detyrën e redaktorit të kulturës në Radio Kosova.
Për të gjallë ai botoi librat poetikë: “Prejardhja e dashurisë” (1982), “Nga biografia e pashkruar” (1984) “Idil e vetmi“ (1989) dhe “Engjëjt e lirisë” (2000). Një libër poezish të tij u përkthye edhe anglisht (2001), nga Fadil Bajraj, me titullin “Love and spring”. kurse mbas vdekjes, më 2006, nga LKSH-ja, iu botua libri poetik “Në cilin gjet e kam vdekjen”.
Tahir Desku është lauruar me rastin e 15-vjetorit të revistës së studentëve “Bota e re” me çmimin “Gazetari më i mirë i vitit”. Ndërsa me rastin e 30-vjetorit të kësaj gazete studentore, më 1998, kur ai gjendej në vijat e frontit, merr çmimin “Gazetari më i mirë në 30 vjetët e fundit”. Ai u laurua me të gjitha çmimet letrare të Kosovës, si nç manifestimet Mitingu i Poezisë në Gjakovë, Takimet e Gjeçovit, ndërsa në vitin 2000 shpërblehet nga LKSH për librin më të mirë të botuar brenda vitit në Kosovë. Ndërsa për kontributin e tij në Luftën Çlirimtare të UÇK-së, ai merr dekoratën “Urdhëri i Adem Jasharit”.