21 marsi është dita e parë e stinës së pranverës, e cila sipas kalendarit gregorian fillon në ora 5:30 të mëngjesit.
Në kohën e caktuar qendra e diellit do të jetë saktë në prerjen e ekliptikës dhe ekuadorit qiellor. Kjo praktikisht do të thotë se në atë moment dielli nga hemisfera jugore qiellore, do të kalojë në hemisferën veriore qiellore.
Dita e parë e pranverës njohët si ditë e barabartë, që nënkupton se gjatësia e ditës dhe natës është e njëjtë, ku nga momenti i lindjes deri në momentin e perëndimit të Diellit, kalojnë 12 orë. Pra, zyrtarisht jemi në fund të dimrit.
Ndërkohë që Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se java e parë e pranverës fillon me kushte të njëjta meteorologjike dhe me temperatura nën vlerat e mesatares. Nuk parashihet të ketë reshje shiu, por vetëm rreze dielli.
“Java e parë e pranverës fillon me kushte të njëjta meteorologjike dhe me temperatura nën vlerat e mesatares, sidomos të minimaleve, por nga dita e enjte do të kemi rritje të maksimaleve dhe kështu që vlerat e mesatareve do të regjistrohen konform me stinën që jemi. Sa i përket reshjeve nuk parashihet të kemi deri në vikend, por vetëm rreze dielli dhe vranësira të fokusuara kryesisht rrëzë maleve. Në mëngjes, sidomos në gjysmën e parë të javës parashihen ngrica dhe pjesëmarrësit në komunikacion duhet të kenë kujdes, me theks të veçantë në viseve të larta ku rrugët vazhdojnë të mbeten të lagështa. Kushtet biometeorologjike do të jenë relativisht të mira. Temperaturat në shkallë vendi do të lëvizin ndërmjet -7 deri 2 gradë Celsius, minimalet, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja, por në intervale të shkurta edhe nga juglindja me shpejtësi 1-6 m/s”, ka njoftuar IHMK.