Sot bëh 21 vite që ke rënë Arben Haliti,

Arbeni ishte i biri i Azizit dhe Nazmies. Ka lindur në fshatin Ozdrim të komunës së Klinës, më 2 janar 1976. Familja e tij ishte e njohur për tradita patriotike.
Vitet e para të shkollimit i kreu në fshatin Jashanicë, kurse tetë vjeçaren e kreu në shkollën e fshtatit Shtupel. Shkollimin e mesëm e filloi në Klinë, kurse e mbaroi në Skënderaj. Qysh i ri, Arbenit i vdes babai dhe ai mbetet nën kujdesin e nënës, të vëllait dhe të xhaxhallarëve.
Pas kontakteve që pati me luftëtarët, Abedin Rexha dhe Hashim Haliti, Arbeni, më 7 janar të vitit 1998 hyn në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke qenë se shquhej për trimëri dhe zgjuarsi në zbatimin e urdhrave dhe në kryerjen e detyrave që i ngarkoheshin, caktohet komandant i skuadrës diversante, në pikën Ushtarake ‘’Zalla’’ të Ozdrimit, të cilin e udhëhoqi komandanti Hashim Haliti.
Prej ditës së parë të inkuadrimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e deri në rënien e tij, Arbeni mori pjesë në betejat më të ashpra që janë zhvilluar kudo në zonën e Drenicës, si në Ozdrim, në Vojnikë e në Açaravë. Ai me njësitin e tij diversant kreu aksione të panumërta në Jashanicë, në Çitak, në Padalishtë, në Belicë, në Kërnicë e Llaushë.
Më 20 maj të vitit 1998, Arben Haliti me Anton Kitën dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë, niset për në fshatin Budisalc, për kryerjen e një aksioni kundër kriminelëve serb. Gjatë kësaj detyre, në mes të fshatrave Kryshec e Budisalc, pranë hekurudhës Klinë-Pejë, Arbeni me shokë bie në pritë të policisë serbe. Aty zhvillohet një betejë e ashpër mes gjashtë luftëtarëve te UÇK-së dhe bandës së këtyre kriminelëve serbë, e cila kishte edhe mbështetjen e armatës.
Luftimet zgjatën deri në mbrëmje. Pas mbarimit të municionit, luftëtarët shqiptarë, me urdhrin e Arbenit, vendosin të tërhiqen. Ai kishte vazhduar rezistencën, derisa ishte siguruar se bashkëluftëtarët e tij i kishin shpëtuar rrethimit. Me këtë rast Arbeni ishte plagosur.
I ndodhur në rrethim dhe pa municion, ai kishte bërë përpjekje për të hulumtuar shtigje nga ku do të tërhiqej. I plagosur, Arbeni arrin të tërhiqet zvarrë drejt bregut të Drinit, ku fshihet afër një shelgu. Aty buzë lumit qëndron tërë natën, pa pasur mundësi për të depërtuar më tutje.
Të nesërmen në mëngjes, më 21 maj, forcat serbe e rrethojnë vendin ku ndodhej Arbeni dhe e gjejnë të dërrmuar nga plagët, të lodhur, por të paepur. Policët Stojan Donçiq dhe Voja Donçiq, të pasuar nga dhjetëra policë të tjerë, Arben Halitin, të plagosur rëndë, e torturojnë mizorisht dhe e çojnë në stacionin policor të Klinës.
Prenk Palushi nga Drinishti i Madh thotë se policët Kërsto Gjurishiq, Branko Biçanin, Tiso Gashiq, Mihajl Karaveliq, Simo Karaveliq, Gjorgje Rajçiq, Stojan e Voja Donçiq e të tjerë, nga fshatrat Stub dhe Budisalc, të cilët e kishin kapur Arbenin, ata edhe e kanë vrarë.

Shpërndaje