Më 17 tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë. Megjithëse ka kohë më shumë se dy muaj deri te data e zgjedhjeve, kompanitë hulumtuese dhe partitë politike kanë filluar matjen e opinionit publik, duke parashikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Kompania kredibile, Ubo Consulting, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare kishte parashikuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje me mbi 50% të votave, ka bërë një hulumtim për zgjedhjet për kryetar të Komunës së Klinës.
Sipas rezultateve të Ubo Consulting kryetari i tashëm i Klinës, Zenun Elezaj, prinë bindshëm me 52.3% të votave, i pasuar nga Sokol Bashota me 21.5%, Besim Hoti me 14.9% dhe Lëvizja Vetëvendosje me 7.8% të votave.
Kompania ka kryer sondazhe thuajse në të gjitha fshatrat e Klinës dhe në qytet.
Në bazë të rezultateve të sondazhit, qytetarët e vlerësojnë pozitivisht punën e kryetarit Elezaj, duke e cilësuar si person të pa korruptuar, i afërt me qytetarët dhe mbajtës të premtimeve.
Si projektet më të dobishme të realizuara në këtë mandat qytetarët kanë vlerësuar asfaltimin e rrugëve në secilin vendbanim, rregullimi i parkut të qytetit, ndriçimi publik, investimet në arsim dhe shëndetësi.
Sipas hulumtimit, çështjet që mbeten sfidë edhe për mandatin tjetër janë rritja e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, një çështje që është problem në nivel nacional.
Kompania Ubo Consulting është një nga kompanitë më kredibile për matjen e opinionit publik dhe kishte parashikuar edhe fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale në Podujevë në vitin 2019.