Kryetari i Degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, ka shprehur dhimbjen e tij për vdekjen e babait të Presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi.
Bashota, ka thënë se do të mbetet i paharruar kujtimi për të, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.
Ky është postimi i Sokol Bashotës:
Sot, teksa ndodhem para lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të babait të Presidentit Thaçi, Haxhi Thaçit, në mendje më shfaqet si një vegim drite figura dhe shëmbëlltyra e tij.
Ndjenjën e dhimbjes dhe të pikëllimit do të na mundë krenaria që kombi ynë pati kaq shumë baballarë të çmuar, të cilët për idealin e lirisë nuk kursyen asgjë.
Haxhi Thaçi, me karakterin e tij të lartë moral e shpirtëror, gjatë rrugëtimit të tij jetësor ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare, duke rritur e edukuar një burrështetas që i priu luftës për çlirimin e vendit dhe e përmbushi misionin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Bacën Haxhi, në vitet që vijnë, nuk do ta kemi fizikisht të pranishëm mes nesh, do të na mungojë, mirëpo kujtimi për të do të mbetet i pashuar në mendjet dhe zemrat tona.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e tij!
I qoftë i lehtë dheu i Republikës së Kosovës!