Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot është dalë para Gjykatës në Klinë.
Këtë për Klan Kosova e konfirmoi Tringa Zhuti, zëdhënëse për media në Gjykatën Themelore në Pejë. Ajo deklaroi se Bashota, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë është duke u gjykuar për vepër penale mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare.
“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Pejë ka vlerësuar se nuk është kompetent në aspektin lëndor për të vendosur për vepër penale mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 437 par.2 i KPK-së, pasi që kjo vepër nuk hyn në grupin e veprave penale që konsiderohen si krime të rënda ashtu siç përcaktohet me nenin 22 të KPPRK-së dhe se kjo vepër bie në kompetencën e Departamentit të Përgjithshëm Penal andaj, në kuptim të nenit 29 par.1 të KPRK-së sipas të cilës gjykatë kompetente është gjykata brenda territorit të së cilës është kryer ose është tentuar të kryhet vepra penale, lënda është dërguar në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Klinë si gjykatë kompetente pasi që vepra penale është kryer në Klinë”.
Zhuti theksoi se seanca e ardhshme për Gjykimin e Bashotës do të mbahet më 2 dhjetor, njofton Klan Kosova.
“Në këtë çështje penale sot në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Klinë, është mbajtë seanca gjyqësore ndërsa, seanca tjetër është caktuar për datë 02 dhjetor 2020, në ora 10:00”.
Ndërsa sa i përket pranisë së EULEX-it para oborrit të Gjykatës ajo deklaroi “Monitoruesit e EULEX-it kanë qenë prezent me qëllim të monitorimit të seancës”.