Me gjithë vendimin e Qeverisë së Kosovës që aktivitetet publike dhe jo publike mund të zhvillohen të mbyllura pa prani publikut, institucionet fetare deri tani s’e kanë anuluar kryerjen e riteve të tyre.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike në Kosovë nuk kanë marrë vendim për t’i anuluar itet fetare në xhami e kisha, ku marrin pjesë një numër i madh besimtarëshe.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i pyetur përmes telefonit se a do të ndalojnë kryerjen e riteve në xhamia si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, ka sugjeruar që t’i referohemi komunikatës së lëshuar dje.
Në këtë komunikatë u kërkohet imamëve që ligjërata e hytbes së xhumasë të mbahet në maksimum 10 minuta dhe jo të anulohet, megjithëse lihet e hapur mundësia për një vendim tjetër.
“Mbështesim të gjitha masat e marra nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen nga koronavirusi. BIK-u me kujdes do ta përcjellë situatën dhe me kohë do të marrë vendimet e duhura në institucionet tona fetaro-arsimore. Kërkojmë nga imamët tanë që ligjërata e hytbes së xhumasë ta mbajnë sa më shkurt, maksimumi 10 minuta dhe t’u kushtohet vetëm masave të mbrojtjes nga kjo sfidë me të cilën po përballet njerëzimi”, thuhet në komunikatë.
As Kisha Katolike e Kosovës s’e ka marrë vendimim për t’i anuluar meshat.
Zëdhënësi i Ipeshkvisë Fatmir Koliqi, në një përgjigje me shkrim thotë se tash për tash meshat nuk do të anulohen.
“Tash për tash mesha nuk anulohet. Në te ardhmen do te sillemi sipas rrethanave te reja”, tha ai.
Kisha katolike u ka bërë thirrje të gjithë besimtarëve që të veprojnë sipas udhëzimeve të institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Megjithqë deri tashti në Kosovë nuk ka asnjë rast me koronavirusin, Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash parandaluese në funksion të mbrojtjes ndaj këtij virusi. Janë 11 masa parandaluese, të cilat janë votuar nga Qeveria, ku ndër to është edhe ndërprerja e procesit mësimor deri më 27 mars.