S’MUNDEM TË TË NDIHMOJ

S’MUNDEM TË TË NDIHMOJ

Thellë ndiej dëshirën,
thellë në kyçet e ashtit tim
që ther keq prej reumatizmës,
por s’kam si të ta jap dorën
nga varri sall pak të zgjohesh,
sytë sa të na i rrëzosh përtokë.

DHIMBJA MË THA T’JU THEM

Dhimbja më tha t’ju pyes këtë herë:
pse vetëm kur vdesim
nga vdekjet, nga tërmetet,
mundohemi të ndihemi njerëz?

(Shqipëri, 26 nëntor 2019)

STANDARD

Moral haremesh,
tërmet rrënjësh
koha ime.

Vlerë
Adhamudhësh,
majë plehut
zukamë
mizash
të mërzitshme,
koha ime.

SHTATË LËKURËT E LUSTRËS

Tash e lustrojnë
pak më tej e pak më thellë
përjashtimin dhe urrejtjen
kundër armikut të klasës
që s’e ngre kurrë mbi oxhak
flamurin e zgjebosur të ndarjes.

NGA POSTULATET E QAFËS

U nis për udhë sërish
plot me hi
në xhepa e në gji
e me dromca
të zemrave të plasura
të unakëve të vatrës,
sepse mund të bjerë borë shumë
e shtëpinë s’e gjen më kurrë
dhiareve me njëqind spirale
që hapin para tij
në parzëm të rrafshnaltës
kurtizanet.

USHQIMET E BARKUT

Procesi i anëtarësimit
mbaron shpejt
me nënshkrimin tënd
nën rubrikën
e aplikacionit standard
“Nuk ka më atdhe”
dhe sakaq,
më shpejt se në ëndërr,
të hapen dyert e fermës
dhe nga të gjitha reshjet e stinës
fije-fije përmbi ty bien
gjithë natën e gjithë ditën
vetëm të barkut ushqimet.

TËRMETI TABU

Ka edhe një tërmet tabu
që pakkush e ndien
kur dridh atje,
kur shkatërron këtu.

Ka njerëzia edhe një tërmet tjetër
për të cilin nuk flasin mediet
as flet kurrë sizmologjia shtetërore.

Ka njerëzia edhe një tërmet tabu
që dje dridh atje e sot shkatërron këtu.