Kosova mund të goditet nga tërmete, por jo katastrofike siç është tërmeti i fundit në Turqi, ku kanë humbur jetën mijëra qytetarë.
Sizmologët vlerësojnë se Kosova është më mirë në aspektin sizmik sepse ndodhet më larg pllakave tektonike. Ata shprehin shqetësim për cilësinë e ndërtimeve dhe bëjnë thirrje që objektet e banimit të ndërtohen sipas standardeve.
Pas tërmetit të fuqishëm i cili ndodhi dy ditë me parë në Turqi dhe Siri, Kosova po vlerësohet se mund të goditet nga tërmetet, por jo të kësaj fuqie.
Sizmologu Shemsi Mustafa në një përgjigje për Radio Kosovën tha se në Kosovë nuk ekziston mundësia që të bie një tërmet i ngjashëm si në Turqi e Siri, i cili la të vdekur mijëra persona e mijëra të tjerë të lënduar sepse vendi ynë ndodhet më larg pllakave tektonike.
Mustafa, tha se që objektet e banimit duhet të ndërtohen sipas standardeve dhe të bëhet një vlerësim se sa janë të rrezikuara ato zona nga goditjet e tërmeteve, pasi deri më tani kjo nuk ka ndodhur në një numër të madh të ndërtimeve.
Mustafa, tha se harta e rrezikut sizmik e përcakton se Kosova mund të goditet çdo pesë vite nga tërmetet, me magnitudë prej 5.0 dhe se tërmeti më i fortë në Kosovë ka qenë në vitin 1921, në zonën Viti-Ferizaj- Gjilan, 6.1 shkallë. Sipas tij, janë tri zona me të rrezikuara: zona veriore e Kosovës që e përfshinë nga Mitrovica deri në kufi, zona veri-perëndimore deri në zonën jug-perëndimore që përfshin nga Istogu deri në Prizren, dhe zona jug-lindore që është zona Ferizaj-Viti-Gjilan.