Sivjet u kapën mbi 800 kilogramë drogë, në radarin e policisë ranë 740 persona

Policia e Kosovës në vitin 2021 ka zhvilluar shumë aksione për luftimin e narkotikëve gjatë të cilave pati konfiskim të drogës dhe arrestime.

Aksioni më i madh ku janë përfshirë ndonjëherë organet e rendit në Kosovë ndodhi pikërisht këtë vit, kur në muajin maj u konfiskuan 400 kilogramë kokainë dhe u arrestuan shtatë persona.

Ky aksion u zhvillua në bashkëpunim edhe me Agjencinë Anti-Drogë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DEA), Guardia di Finanzia, dhe Policinë e Shqipërisë.

Por, ky nuk ishte operacioni i vetëm i forcave të rendit.

Gjatë 12 muajve të 2021-tës u konfiskuan 857 kilogramë drogë të llojeve si: Marihuanë, kokainë, heroinë, por ka pasur edhe lloje të tjera të drogave.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Klankosova.tv tregon se lloj i drogës i cili u konfiskua më së shumti gjatë 21-ës ishte marihuana me 441 kilogramë e 764 gramë.

Pas saj, në muajin maj u kapën 413 kilogramë e 654 gramë kokainë.

E treta për nga sasia është, droga e tipit heroinë ku u zunë 3 kilogramë e 642 gramë.

Regjioni i Prishtinës prin për nga sasia e narkotikëve të konfiskuar sivjet.

Njësiti i anti-drogës po ashtu në regjionin e Prishtinës zbuloi edhe tre laboratorë te kultivimit të bimës kanabis sativa.

Në lidhje me këtë vepër penale në pranga përfunduan 740 persona, kurse u ndaluan 275 persona.

E si të dyshuar në “radarin” e policisë ranë gjithsejt 905 persona.