287 dollarë për kokë banori pritet të ulen të ardhurat e kosovarëve, bëhet e ditur në tabelat e përditësuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Për shtetasit e Kosovës, humbja është me një rënie prej 6,5%, ku Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të renditen ndër shtetet më të varfra të Evropës.
Nga 192 shtete, Shqipëria është e 98-a në listë, ndërsa Kosova e 108-a (4.428 USD për frymë për 2020), sipas vlerësimeve të FMN-së.
Të ardhurat më të larta për frymë në rajon i ka Mali i Zi, në vendin e 77 në botë (8,825), pothuajse sa dyfishi i trojeve shqipfolëse. Më pas renditet Serbia, e 80-a (7,382USD), Maqedonia e Veriut e 90-a (6,018), Bosnjë Hercegovina e 92-a (6,015 USD).
Në rajon, shteti që ka qenë më rezistues ndaj krizës së COVID-19 është Serbia.
Fondi, në Pasqyrën e fundit Ekonomike të Tetorit, vlerëson se tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7,5% secila).
Të tre shtetet bregdetare (Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria) kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej -2,5%. Maqedonia do të tkurret me -5,4%, kurse Bosnja me -6,5%.