Bazuar në të dhënat e publikuara në uebfaqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Partia Demokratike e Kosovës rezulton se i ka marrë 1190 vota në vendvotimin “2501/05” në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj, edhe pse ishin vetëm 425 votues.
Përderisa në hapësirën për pjesëmarrjen në zgjedhje në këtë vendvotim, sipas përllogaritjeve të KQZ-së nga 927 persona me të drejtë vote kanë votuar 425 prej tyre, te hapësira për rezultate dalin shifra tjera.
Te kjo hapësirë PDK-ja del se i ka marrë 80.24 për qind të votave apo 1190. Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 212 vota apo 14.3 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 46 apo 3.1 për qind.
Po ashtu shpërputhje ka edhe në vlerën e përgjithshme të votave në këtë qendër votimi dhe asaj të rezultateve. Në nivel të përgjithshëm në shkollën “Tefik Çanga” votuan 3831 votues nga 8683 me të drejtë vote. Ndërsa te rezultati i votave, kjo shifër tejkalohet vetëm me vota të LVV-së dhe PDK-së, që kanë marrë bashkë 3833 vota (VV 1952 dhe PDK-ja 1881).
Për rastin ka reaguar edhe aktivisti i Vetëvendosjes, Veron Hasani, i cili ka thënë se ky është “manipulimi me vota nga ana e PDK-së”.
“I ftoj të gjithë vëzhguesit dhe komisionerët e VV që t’i shohin edhe njëherë vendvotimet ku ata kanë qenë në mënyrë që të vërtetojnë nëse po përputhen të dhënat e tyre me ato të KQZ-së. Vullneti i qytetarëve nuk mund të tjetërsohet”, ka shkruar ai në Facebook.
Faqja e KQZ-së ka pasur telashe që nga mbrëmja e 9 shkurtit. Fillimisht nisi të shfaqej numërimi, ndërsa më vonë, u shfaqën shifra të reja, të cilat sipas KQZ-së nuk duhej të merreshin parasysh. Reagimi kishte ardhur tek vonë në mbrëmje me kërkimfaljen për telashet e shkaktuara. Ndërkohë të hënën në mëngjes KQZ-ja ka thënë se sistemi është rregulluar.
KOHA ka kërkuar sqarim nga KQZ-ja për votat në vendvotimin në fjalë, por deri tash s’ka marrë përgjigje. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Ndërkohë, secila komunë ka pasur nga një qendër për votim me kusht. Në Ferizaj, ka qenë shkolla “Qesk Zadeja”.