Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në një vlerësim të ekonomisë së vendit për tremujorin e fundit të vitit 2021, ka konstatuar se ekonomia e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje prej 10.5 për qind, që njëherit e konsideron edhe si rritjen më të lartë të aktivitetit ekonomik nga vendet e rajonit.
Sipas BQK-së, kjo rritje e lartë e aktivitetit ekonomik kryesisht iu atribua përmirësimit të të krizës shëndetësore, dinamikë kjo që thotë se u reflektua në lehtësim të masave kufizuese dhe rritje të të hyrave nga jashtë (kryesisht nga diaspora), dhe politikave stimuluese financiare dhe fiskale.
Edhe sipas vlerësimeve preliminare të ASK-së, ekonomia e Kosovës kishte shënuar rritje prej 10.5 përqind në vitin 2021.
Në këtë raport të BQK-së, theksohet gjithashtu se vetëm në TM4 2021, rritja reale e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rezulton të ketë qenë 6.4 pёrqind, mbështetur nga rritja e kërkesës vendore, ndërkohë që eksportet neto kishin kontribut negativ në aktivitetin e gjeneruar ekonomik.
Rritjen e aktivitetit ekonomik në periudhën raportuese, BQK-ja ia atribuon pёrmirёsimit të performancёs sё tё hyrave buxhetore gjatë vitit 2021. Kështu, ata thonë se vetëm në TM4 2021, të hyrat buxhetore kishin shёnuar rritje prej 12.9 përqind, përderisa shpenzimet buxhetore shёnuan rritje prej vetëm 0.7 përqind.
Në anën tjetër, borxhi publik i Kosovës gjatë 2021-s, sipas BQK-së, ka vazhduar me rritje dyshifrore prej 13.1 përqind dhe ka arritur vlerën 1.68 miliardë euro, përderisa si përqindje e BPV-së, ka arritur në 23.3 përqind në TM4 2021.
Por, aktiviteti i gjeneruar në kuadër të sektorit të jashtëm rezulton të ketë pasur peshën kryesore në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik në vend në vitin 2021. BQK-ja vlerëson se rritja e të hyrave nga diaspora përmes kanaleve kryesore si remitencat, shpenzimet e udhëtimit dhe blerja e patundshmërive, u përkthyen në rritje të kërkesës së përgjithshme në vend, duke mbështetur si rritjen e konsumit ashtu edhe atë të investimeve në vitin 2021.
Ndërkohë, rritja e kërkesës së brendshme rezultoi në rritje të importeve, gjë që përkeqësoi bilancin e mallrave, përkundër rritjes që shënuan eksportet. Vetëm në TM4 2021, deficiti tregtar i mallrave është rritur për 34.4 përqind dhe ka arritur nivelin prej 1.0 miliardё euro, ndërsa bilanci i shёrbimeve arriti vlerёn prej 139.2 milionё euro nga 95.2 milionё euro nё TM4 2020.
Edhe në vendet e rajonit, BQK-ja tregon se është shënuar rritje e lartë e aktivitetit ekonomik deri në shtator 2021, por si dinamikë rezulton të jetë dobësuar në tremujorin e katërt të vitit. Kështu, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë raportuar rritje të aktivitetit ekonomik prej 7.0 përkatësisht 2.3 përqind, ndërsa vendet tjera ende nuk i kanë publikuar ende vlerësimet e tyre.
Gjithashtu, aktiviteti ekonomik në Eurozonë më 2021 kishte shënuar rritje prej 5.3 për qind në vitin 2021. Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik në këto vende është nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme, si rezultat i përmirësimit të situatës pandemike, lehtësimit të masave kufizuese si dhe politikës mbështetëse fiskale dhe monetare. Ndërkaq, BQK vlerëson se rritja ekonomike në Eurozonë kishte humbur momentumin në TM4 2021, kryesisht si pasojë e variantit të ri të koronavirusit “Omicron” dhe rikthimit të masave në vende të ndryshme, si dhe rritjes së çmimit të energjisë dhe problemeve evidente në zingjir të furnizimit.
Ndërsa, për shkak të pasigurive që ka shkaktuar tashmë lufta në Ukrainë, Banka Qendrore Evropiane (BQE) rishikoi projeksionet makroekonomike në mars 2022, duke prezantuar tre skenarë për rritjen ekonomike dhe shkallën e inflacionit.
Skenari bazë sugjeron se rritja reale e BPV-së në Eurozonë në vitin 2022 do të jetë 3.7 përqind, pasuar nga një rritje më e ngadalëshme prej 2.8 përqind në 2023 dhe 1.6 përqind në 2024.
Ndërkohë, vlerёsimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) pёr vitin 2021 sugjerojnё rritje tё aktivitetit ekonomik prej 5.3 pёrqind për vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa parashikimet e realizuara në tetor 2021 sugjeronin ngadalësim të rritjes prej 4.4 përqind në vitin 2022.
BQK-ja paralajmëron se përderisa rreziqet në lidhje me pandeminë janë zvogëluar, lufta në Ukrainë është ajo që do të reflektojë në një rritje edhe më të ngadalësuar në vendet e rajonit.