Papunësia vazhdon të mbetet njëri ndër problemet kryesore në vendin tonë, derisa dita ditë jo pak qytetarë po e braktisin vendin si shkak i mungesë së vendeve të punës. Derisa Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë 2021, ku sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.
Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.6%.
Sipas raportit të ASK-së nga popullsia në moshë pune, 59.4 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.
Nga 40.6 % apo 503,876 persona e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 17.7 % apo 89,171 persona janë të papunë.
Raporti i punësimit ndaj popullsisë apo shkalla e punësimit është 33.4 % apo 414,705 persona janë të punësuar.
Sipas raportit të ASK-së shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë (TM3) 2021 është 33.4%.
Punësimi me i lartë është te meshkujt 49.9%, ndërsa punësimi te femrat është 17.1%.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.8% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 42.3%.
Agjencia e Statistikave njofton se sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.1%; ndërtimtaria me 12.1%; arsimi me 9.3%; dhe prodhimi me 9.2%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 42.8% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.2% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, shkalla e papunësisë është 17.7%.
ASK-ja tregon se papunësia më e theksuar ishte te femrat me 23.9%, krahasuar me meshkujt, 15.3%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 29.0%.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.4%, me fokus të veçantë te femrat me 77.5 %, krahasuar me meshkujt, 41.1%.