Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së si pjesë e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës mbështetë kërkesat e Federatës Sindikate të Shëndetësisë në Kosovë, dhe se nuk do ta dërgojë kërkesën te Avokati i Popullit për dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, kjo sindikatë ka disa kërkesa për Qeverinë, përkatësisht Ministrisë e Shëndetësisë, dhe një ndër kërkesat e para është që me urgjencë të fillohet negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale.
“Kërkesa e parë është që me urgjencë të fillohet negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale. Kërkesa e dytë është që shtesa prej 60-euro e paraparë me Pakon e Ringjalljes Ekonomike pika 4.1. Mbështetje për Shëndetësinë të mbetet në fuqi deri në shpalljen e Pandemisë COVID-19 të mbyllur. Kërkesa e tretë është miratimi i shujtës prej 60 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë duke përfshirë edhe stafin mbështetës”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së.
Po ashtu, FSShK ka kërkuar nga ana e ekzekutivit të bëjë publike koeficientet për stafin mbështetës të punësuar në të gjitha nivelet shëndetësore.